Pyetja 3: Plotësoje hadithin: “Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut...”, duke përmendur edhe disa mësime të përfituara prej tij!

Përgjigjja: Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë Pejgamberit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, me ç’rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, ngase vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për besimin (imanin).” I Dërguari tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë apo i keq.” Ai i tha: “Ashtu është. Më trego për ihsanin (përsosurinë).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” Ai i tha: “Më trego për Kiametin.” I Dërguari tha: “Në lidhje me këtë i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Ai i tha: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij.” I Dërguari tha: (Kiameti vjen) kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, fukarenjtë e barinjtë e deleve duke garuar për të bërë ndërtesa sa më të larta.” Pastaj, ai u largua, kurse ne qëndruam për një kohë. Më pas, i Dërguari më tha: “O Omer, a e di kush është ai që pyeste.” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili, erdhi për t’jua mësuar fenë.” (Hadithin e shënon Muslimi)

Dobi të nxjerra nga hadithi:

1) Përmendja e pesë shtyllave të Islamit, e të cilat janë:

- Dëshmia "la ilahe il-la Allah Muhammedun Resulullah",

- falja e namazit,

- dhënia e zekatit,

- agjërimi i ramazanit, dhe

- kryerja e haxhillëkut.

2) Përmendja e gjashtë shtyllave të Imanit, e të cilat janë:

- Besimi në Allahun,

- në melekët,

- në librat,

- në pejgamberët,

- në ditën e fundit, dhe

- në kader, paracaktimin e të mirës dhe të keqes nga Allahu i Lartmadhëruar.

3) Përmendja e shtyllës së Ihsanit, e cila nënkupton adhurimin e Zotit sikurse je duke e parë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.

4) Çështja e kohës kur do të ndodhë kiameti e që nuk e di askush tjetër pos Allahut të Gjithëdijshëm.

Hadithi i katërt