Pyetja 7: Lexoje dhe komentoje suren el-Humeze!

Përgjigjja: Surja el-Humeze dhe komentimi i saj

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. Mjerë për çdo përqeshës - shpifës, 2. që grumbullon pasuri dhe e ruan, 3. duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm! 4. Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në torturën shkatërruese. 5. E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese? 6. Ajo është zjarri i Allahut i ndezur fort, 7. i cili depërton deri në zemrën e njeriut. 8. Ai do t’i rrethojë ata nga çdo anë, 9. në shtylla të gjata flakëruese. (Surja el-Humeze: 1-9)

Komentimi:

1) Dënim të madh e të ashpër për atë që e tepron duke përgojuar dhe fyer njerëzit,

2) i cili nuk ka brengë tjetër pos grumbullimit të pasurisë dhe llogaritjes së saj.

3) Ai mendon se pasuria që e ka tubuar do ta shpëtojë nga vdekja dhe se ai kurrë nuk do të vdesë.

4) Por puna nuk qëndron siç e mendon ky injorant. Ai do të hidhet në xhehenem i cili do ta torturojë çdokënd që hidhet në të për shkak të zjarrit të tij të ashpër.

5) E ku e di ti, o Pejgamber, se çfarë është ky zjarr që torturon çdo gjë që hidhet në të?!

6) Është zjarri i ndezur i Allahut,

7) i cili depërton në zemrat e njerëzve nëpërmjet trupit.

8) Ai do t’i rrethojë të dënuarit me Xhehenem.

9) Ai është i mbyllur me shtylla të gjata flakëruese në mënyrë që të dënuarit të mos mund të dalin prej aty.