Pyetja 2: Lexoje dhe komentoje suren ez-Zelzele!

Përgjigjja: Surja ez-Zelzele dhe komentimi i saj

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), 2. kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj 3. e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!” 4. Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj, 5. sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë. 6. Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre: 7. kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, 8. e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. (Surja ez-Zelzele: 1-8)

Komentimi:

[1. Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit)]: kur toka të lëvizë fuqishëm të dridhet. Lëvizja dhe dridhja ndodhin për shkak të kiametit.

[2. kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj]: do të nxjerrë të vdekurit dhe gjëra të tjera.

[3. e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!”]: i stepur e i hamendur njeriu do të pyet: çfarë ka toka që dridhet e lëviz?!

[4. Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj]: atë ditë të madhe toka do të dëshmojë për atë që është vepruar në të, qoftë e mirë, qoftë e keqe.

[5. sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë]: kjo për arsye se Allahu e ka mësuar dhe e ka urdhëruar ta bëjë një gjë të tillë.

[6. Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre]: atë ditë të madhe kur toka do të dridhet e do të lëkundet, njerëzit do të paraqiten në grupe për t’i parë veprat që i kanë bërë në dynja.

[7. kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë]: kush ka bërë një vepër të mirë, sado e vogël që të ketë qenë ajo, do ta gjejë para vetes.

[8. e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë]: po kështu edhe ai që ka bërë keq, sado që vepra të ketë qenë e vogël, do ta gjejë para vetes.