Pyetja 17: Lexoje dhe komentoje suren en-Nas!

Përgjigjja: Surja en-Nas dhe komentimi i saj

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, 2. Sundimtari i njerëzve, 3. i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, 4. nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) 5. e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, 6. (qoftë ai djall) prej xhinëve apo njerëzve!” (Surja en-Nas: 1-6)

Komentimi:

[1. Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve]: Thuaj, o Pejgamber: unë kërkoj mbrojtjen tek Allahu, Zoti i njerëzve,

[2. Sundimtari i njerëzve]: i Cili vepron si të dojë me ta, nuk ka Zot tjetër që menaxhon çështjet e tyre pos Tij.

[3. i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve]: i adhuruari i tyre me të drejtë, nuk ka tjetër që meriton të adhurohet pos Tij.

[4. nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt)]: nga sherri i djallit i cili hedh vesveset te njeriu.

[5. e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve]: i cili hedh vesveset e tij në zemrat e njerëzve,

[6. (qoftë ai djall) prej xhinëve apo njerëzve!]: nga çdokush që bën vesvese, njeri apo xhin qoftë.