Pyetja 10: Lexoje dhe komentoje suren el-Maunë!

Përgjigjja: Surja el-Maunë dhe komentimi i saj

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë? 2. Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët 3. dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit. 4. Mjerë për ata, të cilët kur falen, 5. janë të pakujdesshëm për namazet, 6. të cilët duan vetëm që të duken 7. dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve. (Surja el-Maunë: 1-7)

Komentimi:

1) A e njohe atë që e mohon shpërblimin në botën tjetër?

2) Është ai që e dëbon ashpër jetimin dhe nuk çan kokën për hallin e tij,

3) ai që nuk e nxit veten dhe as të tjerët që t'u dalin në ndihmë të varfërve.

4) Dënim e shkatërrim për ata që falin namazin,

5) të cilët janë të pakujdesshëm e harrestarë ndaj namazit, që nuk e kanë dert nëse u kalon namazi,

6) të cilët kur falen dhe bëjnë vepra të mira i bëjnë për të tjerët, jo për Allahun,

7) të cilët ndalojnë ndihmën për të tjerët në gjëra që nuk ka ndalesë për t’i ndihmuar.