Pyetja 23: Cilat janë sunetet e namazit?

Përgjigjja: Sunetet e namazit janë njëmbëdhjetë:

1) Duaja hapëse pas tekbirit fillestar dhe e cila është: Subhaneke Allahumme ve-bihamdike ve-tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke!

2) Teavvudhi (thënia Eudhu bil-lahi minesh-shejtanir-rraxhim).

3) Besmeleja (thënia Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim).

4) Thënia: Amin!

5) Leximi i një kaptine pas fatihasë.

6) Leximi me zë i imamit.

7) Thënia pas tahmidit (pas thënies Rabbena ve lekel-hamd): Mil’e es-semavati ve mil’el-erdi ve mil’e ma shi’te min shej’in ba’d.

8) Tesbihu i dytë dhe i tretë, ose më shumë se kaq, në ruku.

9) Tesbihu më shumë se një herë në sexhde.

10) Thënia më shumë se një herë ndërmjet dy sexhdeve Rabbi-gfir li.

11) Të çohet salavat për familjen e Pejgamberit ﷺ në teshehudin e fundit.

Ndërsa sunete veprore të namazit janë:

1) Ngritja e duarve me tekbirin fillestar.

2) Ngritja e duarve me rastin e rënies në ruku.

3) Ngritja e duarve pas ngritjes nga rukuja.

4) Lëshimi i duarve pas këtyre dy veprimeve.

5) Vënia e dorës së djathtë mbi të majtën.

6) Shikimi në vendin e sexhdes.

7) Zgjerimi i këmbëve duke qenë në kijam (këmbë).

8) Kapja e gjunjëve me gishtërinj të zgjeruar në ruku duke e drejtuar shpinën dhe duke mbajtur kokën drejt paralel me shpinën.

9) Prekja e tokës me gjymtyrët e sexhdes, respektivisht ta prekin vendin ku bëhet sexhdeja.

10) Duke bërë sexhden barku ndahet nga kofsha, kofshët nga këmbët, bërrylat prej anëve dhe kuti i dorës prej toke. Gjunjët i ndan, nuk i mban ngjitas me njëri-tjetrin. Me majat e gishtërinjve të këmbëve, respektivisht pjesën e brendshme të tyre, e prek tokën. Duart në sexhde i vendos paralel me supet, duke i shtrirë ato dhe duke përmbledhur apo bashkuar gishtërinjtë.

11) Në uljen ndërmjet dy sexhdeve dhe në teshehudin e parë e praktikon iftirashin (duke e shtrirë këmbën e majtë në të cilët ulet derisa këmba e djathtë mbetet në pozitë vertikale me gishtërinj të kthyer nga kibla) ndërsa në teshehudin e dytë teverrukun (duke u ulur në tokë, jo mbi këmbë, dhe duke e mbajtur këmbën e djathtë në pozitën vertikale, ashtu që gishtërinjtë e këmbës të jenë të drejtuar nga kibla, kurse këmba e majtë mbetet e shtrirë nën këmbën e djathtë).

12) Ndërmjet dy sexhdeve, duart lëshohen në prehër mbi gjunjë, me gishtërinj të përmbledhur. Po kështu edhe në teshehudin e parë, përveç që e vendos gishtin e madh të dorës së djathtë mbi gishtin e mesëm dhe e formon një lloj rrethi duke e lëvizur gishtin tregues sa herë që përmendet Allahu.

13) Kthimi në të djathtë dhe në të majtë gjatë dhënies selam.